“Gjykatat s’kanë salla për të zhvilluar seancat”, Sadushi tregon problematikat: Godinat janë të amortizuara, zyrat të pamjaftueshme

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka adresuar problematikat me të cilat përballet sistemi i gjyqësor në vendin tonë.

Në Ditën e Drejtësisë, Sadushi vuri theksin te mungesa e burimeve njerëzore në sistemin gjyqësor, ndërsa shtoi se godinat janë të amortizuara dhe me kufizime të ndjeshme të hapësirës së duhur për punë,

Një tjetër problematikë sipas tij, janë zyrat e pamjaftueshme dhe më e rënda, në disa gjykata, nuk ka salla gjykimi, ku seancat gjyqësore zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve dhe pa regjistrimin e procesit në audio.

Këto tregues që dëshmojnë për gjendjen e gjykatave, sipas Sadushit nuk i përshtaten nevojave dhe kërkesave që imponon koha për të pasur një drejtësi eficente dhe funksionale

“Tri janë drejtimet kryesore, që evidentojnë mirë apo keq administrimin e drejtësisë.

Së pari: Ne të gjithë e dimë se gjykatat kanë mangësi të theksuara në infrastrukturë, që evidentohet me:

– godina të amortizuara dhe me kufizime të ndjeshme të hapësirës së duhur për punë,

– zyra të pamjaftueshme dhe më e rënda, në disa gjykata, pa salla gjykimi, ku seancat gjyqësore zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve dhe pa regjistrimin e procesit në audio,

– një sistem elektronik, pothuajse anakronik, që nuk siguron informacion menaxherial, por vetëm informacion të kufizuar statistikor mbi numrin e çështjeve të regjistruara e të përfunduara,

– problematika të ndjeshme në mënyrën e administrimit dhe të arkivimit të dosjeve, të çështjeve të sigurisë, apo të krijimit të hapësirave të përshtatshme për publikun etj.

Nuk arrihet të kuptohet se përse është në atë gjendje kritike Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë (dhoma Penale dhe Civile), që detyron zhvillimin e seancave gjyqësore në zyrë dhe gjyqtari nuk guxon të dalë prej saj, sepse në çdo moment do të ndeshet në korridoret e gjykatës me palët dhe me avokatët? Përse duhet të pranojmë Ne gjyqtarët të kemi drejtësi, që perfomon me dy standarde, ku në një gjykatë, qoftë edhe periferike, seancat gjyqësore zhvillohen në salla gjykimi, ndërsa në gjykatën e kryeqytetit seancat zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve?

Përse në Gjykatën e Posaçme kemi rregulla standarde për hyrjen e palëve në godinë dhe solemnitetin e zhvillimit të seancave gjyqësore, ndërsa në gjykatat e tjera palët përballen me një tjetër standard, që veçse e delegjitimon drejtësinë? Si është e mundur që është pranuar nga të gjithë Ne dhe, në veçanti nga KLGJ, që dy gjykatat e apelit të kryeqytetit të mos kenë mjaftueshëm zyra dhe salla gjykimi për gjyqtarët? A kemi ndonjë zgjidhje afatshkurtër apo afatgjatë për to?

Së dyti: Gjykata kanë mungesa të ndjeshme në burime njerëzore, kryesisht në këshilltarë/ndihmës ligjorë, sekretarë gjyqësorë dhe stafin ndihmës administrativ. Menaxhimi i burimeve njerëzore nuk duhet parë si një rol administrativ, por si rol strategjik e thelbësor për suksesin e gjyqësorit. Mungon një strategji e qartë se si mund të realizohet përmbushja e këtij detyrimi nga KLGJ, kur pengesat për të shtuar numrin e ndihmësve ligjorë, sekretareve gjyqësore apo të stafit administrativ rezultojnë të jenë sa ligjore, aq edhe financiare e strukturore, sidomos kur planifikohet buxheti dhe nuk parashikohet dhe as insistohet te ekzekutivi dhe legjislativi për nevojën e rritjes së numrit të punonjësve në gjykata.

Së treti: Mbetet ende shqetësim trajtimi i buxhetit financiar që Kuvendi i akordon Gjykatës së Lartë dhe të gjithë gjykatave, nëpërmjet KLGJ, e cila nuk duket se e ka kuptuar drejt pavarësinë buxhetore të gjyqësorit. Në disa raste janë vënë re prirje për të konfonduar mbikëqyrjen administrative me mbikëqyrjen gjyqësore. KLGJ sipas kushtetutës është organ administrativ, ndërsa Gjykata e Lartë dhe të gjitha gjykatat janë organ gjyqësor. I pari është krijuar për të lehtësuar punën dhe mirëfunksionimin e të dytit, i cili duhet të fokusohet tek dhënia e drejtësisë. Një pjesë e madhe e kohës dhe energjisë së gjykatave shpenzohet me komunikime të përsëritura për çështje të buxhetit, gjë e cila jo vetëm është konsumim i kohës, por mbi të gjitha nuk pajtohet me kulturën institucionale në një shtet demokratik.

Pikërisht, këto tri tregues thelbësorë që dëshmojnë për gjendjen e gjykatave, nuk i përshtaten nevojave dhe kërkesave që imponon koha për të pasur një drejtësi eficente dhe funksionale. Shqetësimi publik për efektivitetin e sistemit gjyqësor, problematika e gjykatave për të përballuar ritmin e lartë të çështjeve, aksesi në drejtësi, transparenca, solemniteti, respektimi i afateve kohore të gjykimit, cilësia në vendimmarrje etj, janë faktorë që kontribuojnë në administrimin e drejtësisë”- tha mes të tjerash Sadushi.