Gjykata Kushtetuese shqyrton sot 3 paditë për shfuqizimin e ligjit për tatimin e profesioneve të lira

Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë sot 3 paditë kundër ligjit të tatimit të profesioneve të lira.

Ky ligj u ankimua nga deputetët e opozitës, ndërsa më pas padi në Kushtetuese dërguan edhe Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA), me pjesëmarrjen masive të avokatëve, juristëve dhe shumë profesionistë të lirë të fushave të ndryshme.

Pas tyre, ishin avokatët ata që e ankimuan për herë të tretë këtë ligj, që sipas tyre sjell falimentimin e shumë bizneseve të vogla.

Sipas përllogaritjeve të tatimeve, bizneset duhet të parapaguajnë nga 600 deri në 1,000 euro në muaj tatim për vitin 2024, mbështetur te të ardhurat dhe shpenzimet e deklaruara për 2023. Kontabilistët dhe juristët vlerësuan që jo vetëm përmbajtja juridike e vlerësimeve është e gabuar, por edhe llogaritja për këstet e parapagimit të tatimit.

Gjykata Kushtetuese i ka bashkuar të tre paditë në një të vetme, teksa sot do të shqyrtohen në një seancë të hapur. Pak ditë më parë u organizua edhe një protestë me pjesëmarrjen masive të qytetarëve.