Gjykata Kushtetuese nuk ka dalë ende me një vendim për zv.kryeministren, Belinda Balluku, lidhur me ankimimin e bërë nga qeveria për shkarkimin e saj nga detyra.
Anëtarët e Kushtetueses u mblodhëm sot, por nuk arritën në një konkluzion, duke kërkuar më shumë kohë për shkak të kompleksitetit të kësaj çështje.
Më datë 22 Janar, në Gjykatën Kushtetuese u zhvillua seanca publike lidhur me këtë çështje, ndërsa ditën e nesërme do të mblidhet Këshilli i Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK që kërkon autorizimin e Kuvendit për arrestimin e numrit dy të qeverisë.
Nuk dihet nëse nesër do të vendoset për imunitetin e Ballukut, apo nëse socialistët do të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur në 31 Tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe. Këto dy afera i kanë kushtuar buxhetit të shteti mbi 210 milionë euro.
GJKKO e pezulloi nga detyra Ballukun dhe i sekuestroi pasaportën, duke e ndaluar të dalë jashtë vendit, ndërkohë që ishte Gjykata Kushtetuese pas ankimimit të qeverisë që e riktheu në detyrë.