Gjykata Kushtetuese cakton datën për shqyrtimin e mandatit të Olta Xhaçkës

Gjykata Kushtetuese ka vendosur datën 21 Qershor për të shqyrtuar mandatin e ish-ministres Olta Xhaçka.

Kërkesa u bë nga Partia Demokratike, pak ditë pasi Kuvendi me votat e mazhorancës vendosi që të mos e dërgojë për shqyrtim mandatin e deputetes socialiste.

Prej më shumë se 1 viti, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla nuk e futi në rendin e ditës shqyrtimin e mandatit të Xhaçkës. Vetëm 1 muaj më parë Kuvendi e futi për votim, por deputetët socialistë u kujdesën që të mbronin kolegen e tyre.

Tashmë mandati i ish-ministres është në dorën e Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa e opozitës u bë pasi Artan Gaçi, bashkëshorti i Olta Xhaçkës, mori statusin e investitorit strategjik nëpërmjet një toke të tjetërsuar, që tashmë SPAK e ka vënë nën sekuestro.

Në qeli për këtë çështje është ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro dhe disa të tjerë, ndërkohë që vijojnë hetimet edhe për Gaçin, si i përfshirë në këtë shkelje ligji. Për sa i përket përfshirjes së Olta Xhaçkës, ajo ka qenë ministre në kohën kur bashkëshorti i saj përfitoi statusin e investitorit strategjik, në konflikt të hapur interesi, për shkak se ky status jepej nga Këshilli i Ministrave.