Gjykata i dha Sali Berishës vulën e PD, ambasada e SHBA-ve: Nuk ndryshojmë pozicion me personat non grata

Ambasada e SHBA-ve ka deklaruar se nuk ndryshon pozicion lidhur me personat e shpallur non grata, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, që i kaloi vulën e PD-së Sali Berishës.

Në një deklaratë për media, Ambasada ka bërë thirrje për faktorët e tjerë politikë që të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me persona të sanksionuar nga SHBA.

Deklarata e Ambasadës së SHBA

Pozicioni ynë në lidhje me individët e shpallur non-grata mbetet i pandryshuar: ne nuk angazhohemi me persona të shpallur sipas autoritetit të sanksioneve të SHBA dhe të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA.

Angazhimet tona me aktorët politikë do të mbështeten fort tek përkushtimi që ndajmë ndaj së ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë, përfshi sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Siç ka vërejtur Presidenti Biden në mënyrë të përsëritur, lufta kundër korrupsionit është një çështje e sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara.