Gjykata e Lartë lë në burg Erion Veliajn

Nuk ka liri për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, pasi Gjykata e Lartë ka vendosur ditën e sotme që ta lërë në burg.

Veliaj kishte kërkuar heqjen e masës së sigurisë pasi Gjykata Kushtetuese e kishte cilësuar jo proporcionale masën ndaj tij, por Gjykata e Lartë e la të pandryshuar vendimin për mbajtjen e tij në qeli.

Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në burg që prej 10 Shkurtit të vitit 2025 dhe mbi të rëndojnë akuza të rënda, teksa të përfshirë janë edhe familjarë të tij.

SPAK ka zbardhur skemën korruptive që kryebashkiaku kishte ngritur së bashku me bashkëshorten e tij që ka synuar dhe bërë të mundur në praktikë marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të kryebashkiakut dhe familjes së tij përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.

SPAK thotë se Veliaj me firmën e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek disa subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të dhe këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar se fondet publike që dalin nga institucioni i Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e Veliajt, kanë kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e tij dhe rrethi i saj familjar, përmes OJF-ve dhe personave juridikë të kontrolluar de jure dhe de  facto nga Ajola Xoxa.

SPAK thotë se bashkeshortja e Veliaj, Ajola Xoxa për katër vite ka bërë blerje online duke shpenzuar plot 860 mijë euro për bizhu dhe veshje. Këto shpenzime nuk janë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë së Tiranës dhe personave lidhur me të.

Ndërkohë biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, të cilët akuzohen nga SPAK për “Korrupsion aktiv” kanë dhënë përfitime të parregullta ndaj  Veliajt dhe Xoxës, duke përfituar fonde publike dhe leje ndërtimi në këmbim të shërbimeve të dyshimta dhe transaksioneve të fshehura.