Apeli i Gjykatës së Posaçme Anti-korrupsion ka marrë vendimin për ish gjyqtaren e Elbasanit, Zamira Vyshka ndaj të cilës është konfirmuar dënimi 2 vite burgim. i konvertuar në dy vite shërbim prove. Vyshka u dënua me burg për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Gjithashtu gjykata vendosi për të edhe “Heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike”, për një periudhë 5 vjeçare, nga 3 që kishte vendosur më herët GJKKO.
Ndërsa për avokatin Ilir Pashaj që dyshohet se do i jepte një shumë prej 400 mijë lekësh gjyqtares, Gjykata ka lënë në fuqi dënimin me 1 vit e katër muaj burg.
Gjyqtarja Vyshka u arrestua në korrik të 2023 me urdhër të SPAK, bashkë me avokatin Ilir Pashaj, pasi po merrte rreth 400 mijë lekë ryshfet, për t’i ular dënimin me 6 muaj të të burgosurit Xhuliano Musai, i akuzuar për plagosje.
Përgjimet dhe vëzhgimet e SPAK nxorën zbuluar gjyqtaren Zamira Vyshka dhe avokatin Ilir Pashaj të cilët janë arrestuar për ryshfet dhe korrupsion në Elbasan. Në përgjime shtohet se i arrestuari Xhulio Musaj, i akuzuar në vitin 2019 për vjedhje kërkoi një ulje dënimi me 6 muaj burg. Familjarët ofruan shumën 200 mijë lekë me negociator avokatin Ilir Pashaj, ndërsa gjyqtarja kishte kërkuar dyfishin, pra 400 mijë lekë. Ata ishin të gatshëm të jepnin paratë e kërkuara për të lehtësuar masën e sigurisë ndaj Xhulio Musajt, por me fryrjen e shumës nga gjyqtarja, nuk kishin pranuar. Nga përgjimet ka rezultuar se familjarët e të arrestuarit i kanë thënë avokatit: “Më mirë t’i hajë ai 400 mijë lekë në burg se sa gjyqtarja.”