Një gjykatës federal në SHBA ka pezulluar përkohësisht përpjekjet e administratës Trump për të hequr të drejtat e organizimit sindikal për punonjësit në gati një duzinë agjencish dhe departamentesh qeveritare.
Vendimi i gjyqtarit të Gjykatës së Qarkut në Uashington, Paul Friedman, detyron agjencitë federale të rifillojnë bashkëpunimin me sindikatat e punonjësve dhe të vazhdojnë mbledhjen e kontributeve sindikale, si dhe çështje të tjera të zakonshme që lidhen me marrëdhëniet e punës. Ky vendim përfshin punonjësit e Departamenteve të Drejtësisë, Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Thesarit, Energjisë, Zyrës së Menaxhimit të Personelit dhe disa agjencive të tjera të rëndësishme.
Presidenti Trump kishte nënshkruar muajin e kaluar një urdhër ekzekutiv që synonte të anulonte të drejtat historike të punonjësve publikë për të qenë pjesë e sindikatave që përfaqësojnë interesat e tyre në negociatat kolektive për kushtet e punës. Urdhri përfshinte gjithashtu dhe ndërprerjen e kontratave ekzistuese të këtyre sindikatave me qeverinë. Ai u bazua në një dispozitë të rrallë ligjore të kohës së luftës që i jep presidentit të drejtën të përjashtojë agjenci që merren me sigurinë kombëtare.
Sindikata Kombëtare e Punonjësve të Thesarit (NTEU) paditi administratën, duke argumentuar se Trump ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore dhe ka vepruar në hakmarrje ndaj përpjekjeve të sindikatës për të bllokuar iniciativat e tij për të zvogëluar administratën publike.
Gjatë një seance dëgjimore të mbajtur të mërkurën, gjyqtari Friedman vuri në dukje se veprimet e administratës dukeshin të drejtuara enkas kundër sindikatave që i janë kundërvënë politikave të presidentit.
Ndërkohë, administrata Trump ka paraqitur padi të veçanta në shtetet e Kentakit dhe Teksasit, ku kërkon të shpallë të pavlefshme kontratat e sindikatës NTEU me disa agjenci federale.