Gjobë deri në 20 mijë lekë/ Hyn në fuqi ligji në Shkodër, “ndëshkohen” qytetarët dhe bizneset që ndotin ambientin

Bashkia e Shkodrës ka miratuar një ligj të ri për qytetarët që dëmtojnë ambientet e gjelbërta.

Sipas këtij ligji, çdo qytetar apo biznes që dëmton dhe ndot këto hapësira do të gjobitet me 50 deri ne 200 mijë lekë të vjetra.

“Nëse një biznes apo ambulant nuk pastron territorin përreth pasi lënë punën, dy apo pesë metra, do të ndëshkohen. Do të ndëshkohen edhe qytetarët që ndotin hapësirat publike ose hedhin qese të mëdha me mbetje në koshat që janë për kalimtarët ose turistët”, u shpreh për Top Channel Ina Xhakoni, Përgjegjëse nga Drejtoria e Shërbimeve Publike Bashkia Shkodër.

Ajo u shpreh se dhe vetë qytetarët mund të denoncojnë shkeljet, megjithëse dhe policia bashkiake do jetë në terren duke administruar dhe inspektuar zonën.

Qytetarët shprehen se këto masa duheshin marrë kohë më parë, por që do të ndihmojnë në mbarëvajtjen e zonave të gjelbërta në Shkodër. Së bashku me mjedisin, janë përcaktuar edhe paketa me masa për shkeljet e normave dhe rregullave ndaj etikës së bashkëjetesës në komunitet, qetësinë dhe sigurinë publike.

Tashmë rregullorja e re ka hyrë në fuqi që nga 1 Janari dhe bashkë me të, edhe gjobat për qytetarët.