Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK dhe ka kaluar për gjykim dosjen në ngarkim të deputetit socialist Plarent Ndreca, dhe 15 zyrtarëve të tjerë lidhur me procedurat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në vend, në kohën kur ai ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.
Deputeti i PS, Ndreca akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim. Për të njëjtën vepër penale akuzohen Denisa Skënderaj, Blendi Kovi, Lira Kolasi, Ferdinant Tarazhi, Grida Isufi, Jonarda Qurku, Lindita Mukaj, Silva Dauti, Deni Klosi, Julia Hysa, Elora Kokalari dhe Aida Shehi.
Ndërkohë, për falsifikim dokumentesh akuzohen Erand Majko Rroboçi, Klejdi Kujtim Meço dhe Emiliano Flamur Mehmeti.
Kallëzimi në SPAK për këtë çështje u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë.
Po ashtu, ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit.