Gjenden të vdekura 2 ukrainase në Tiranë, dyshimet e para

2 shtetase ukrainase janë gjetur të vdekura këtë të premte në një banesë në Rrugën e Dibrës në Tiranë. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se Antonina Kozachenko dhe Anastasia Lopukhova nga Ukraina kanë vdekur për shkak të mbidozës nga ilaçet, me përmbajtje lëndësh narkotike.

Policia e Tiranës njofton se ato janë gjetur të vdekura, nga shoqja e tyre e dhomës. Ndërkohë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Më datë 10.05.2024, rreth orës 13:35, në Rrugën e Dibrës, në banesë, janë gjetur nga shoqja e tyre e dhomës, pa shenja jete shtetaset ukrainase A. K., 25 vjeçe dhe A. L., 40 vjeçe.

Paraprakisht dyshohet se dy shtetaset kanë humbur jetën për shkak se kanë konsumuar mbidozë ilaçesh me përmbajtje lëndësh narkotike.

Është ngritur grupi hetimor së bashku me ekspertë të ADN-së dhe Ekspertimeve Biologjike pranë Institutit të Policisë Shkencore të cilët ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes“, njofton policia.