“Giro d’Italia” në Vlorë, PS kërkesë KQZ: Të shtyhet afati i mbylljes së votimit në 55 qendra

Partia Socialiste në Vlorë i është drejtuar me një kërkesë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ditën e nesërmë të shtyhet orari i mbylljes së votimit në disa qendra votimi.

Kërkesa e PS vjen për shkak të zhvillimit të “Giro d’Italia” të dielën në këtë qytet ku do të ketë kufizim të lëvisjeve.

Sipas kërkesës, PS shpreh shqetësim se kufizimi i akseve rrugore do të vështirësojë aksesin në 55 qendra votimi dhe kërkon që mbyllja e votimit në këto qendra të jetë ora 22 e së dielës.

“Bashkia e Vlorës na ka vendosur në dispozicion një listë të detajuar të akseve rrugore që do të bllokohen dhe qendrave të votimit të cilat do të afektohen nga ky bllokim, të cilën mund ta gjeni bashkëlidhur kësaj shkrese.

Bazuar në këtë informacion dhe duke vlerësuar se lëvizja e qytetarëve drejt këtyre qendrave mund të jetë e vështirësuar apo e pamundur për një pjesë të ditës, kërkojmë që për të gjitha këto qendra të shtyhet orari i votimit deri në orën 22:00.

Vlerësojmë se kjo shtyrje e orarit është e domosdoshme për të garantuar ushtrimin e së drejtës kushtetuese për të votuar dhe për të siguruar një proces zgjedhor të papenguar, ku çdo qytetar të ketë mundësi për të ushtruar të drejtën e tij për të zgjedhur”, thuhet në letrën e PS.