Kreu i Grupit Parlamentar të PD zyrtare, Gazment Bardhi mblodhi sot Këshillin Kombëtar ku prezent ishin 245 anëtarë nga 226 që kërkohet si minimum kuorumi.
Këshilli Kombëtar vendosi të pranojë dorëheqjen e datës 21 mars 2022 të Kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha dhe dorëheqjen e datë 17 Maj 2023 të Nënkryetari të Partisë Demokratike z. Enkelejd Alibeaj.
Gjithashtu, Këshilli Kombëtar i PD ka vendosur të anullojë zgjedhjet e datës 29 Korrik 2023, duke e konsideruar procesin antistatutor dhe fars.
Këshilli Kombëtar vërejti se të gjitha vendimet dhe qëndrimet e Kryesisë së Partisë duke filluar nga data 6 Qershor 2023, janë antistatutore, të marra pa kuorum, dhe nuk kanë mbajtur në konsideratë pasojat që mund të sjellin në përçarjen dhe dobësimin e mëtejshme të partisë.
Sipas Këshillit Kombëtar, aktet e Kryesisë së Partisë kanë arritur deri më aty sa kanë përdorur, falsifikuar dhe prodhuar në mënyrë të paautorizuar vulën e PD, përmes një vendimi nul dhe antistatutor. Të gjitha këto vendime janë anuluar dhe Këshilli Kombëtar ka vendosur të pezullojë veprimtarinë statutore të Kryesisë së PDSH, deri në verifikimin e rregullshmërisë statutore të përbërjes së saj.
Një grup deputetësh janë ngarkuar të ndjekin të gjitha hapat ligjor dhe statutor për zbatimin e vendimit të Këshillit, si dhe për përfaqësimin e Partisë Demokratike, në rrugë ligjore për të kundërshtuar cdo akt që bie ndesh me vendimin.
Gjithashtu, Këshilli Kombëtar i PD, si organi më i lart drejtues i Partisë, i ka autorizuar deputetët që në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë të kërkojnë çregjistrimin e ish-Kryetarit të dorëhequr të PD Lulzim Basha nga regjistri i partive politike, bazuar edhe në vendimin e KAS për dorëheqjen e tij, që është lënë në fuqi nga gjykata.
U shty për në një mbledhje tjetër vlerësimi mbi dorëheqjet e Nënkryetarëve Agron Gjekmarkaj dhe Jorida Tabaku, të cilët i qëndrojnë dorëheqjes së tyre, edhe pse dorëheqjet e tyre nga ana e Këshillit nuk u konsideruan si të parevokueshme. Kjo do të thotë se Tabaku dhe Gjekmarkaj mund të rikthehen në funksionet e tyre.
Kjo vendimerrje e Këshillit do shkojë në Gjykatë dhe këtu nis beteja nga e para. Praktikisht me këto vendimarrje, Gazment Bardhi merr kontrollin e Partisë Demokratike zyrtare, krahas drejtimit të grupit prlamentar që e ka ende sot me mbështetjen e të paktën 15 deputetëve.
“Basha mund të bëjë çfarë ai ka dëshirë, apeli im për Bashën dhe për çdo aktor brenda PD është të reflektojnë, të mos çojnë PD drejt përplasjes, të gjejnë një zgjidhje në interes të demokratëve. Ky nuk është momenti që në PD të ketë të tjera akte antistatutore”, tha Bardhi për mediat pas mbledhjes së Këshillit.