Gazment Bardhi dhe deputetët e Bashës “bashkohen” në Bruksel

Ditën e djeshmë u mbajt në Bruksel takimi i 17-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, ku morën pjesë delegacioni i Përhershëm i Kuvendit të Shqipërisë.

Në takim morën pjesë deputetët Toni Gogu, kryetar i delegacionit, Jorida Tabaku, Pandeli Majko, Arben Pëllumbi, Enslemvera Zake, Etjen Xhafaj, Niko Kuri, Lavdrim Krashi, Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Zheni Gjergji, Arbi Agalliu dhe Orjola Pampuri.

Ndërkohë në mbledhje mori pjesë edhe Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani.

Ajo çfarë vihet rë është se deputetët e opozitës, të ndarë tashmë në dy kampe janë “bashkuar” në Bruksel.

Gazment Bardhi është bërë bashkë me deputetët e tjerë të Lulzim Bashës, me këtë të fundit që duket se i kanë ndarë rrugët prej disa kohësh, madje duke hedhur akuza ndaj njëri tjetrit.

Megjithatë Bardhi në fjalën që mbajti dje, ka ngritur shqetësimet e opozitës duke thënë se parlamenti është jofunksional prej 3 muajsh, teksa shtoi se nga ana e mazhorancës nuk ka pasur një dorë të shtrirë për dialog, por vetëm arrogacë të shtuar.

Përfaqësuesit e lartë të institucioneve më të rëndësishme europiane vlerësuan dje në takim progresin e vendit në zbatimin e reformave për Integrimin Evropian, veçanërisht arritjet në reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi. Theksi u vendos në rezultatet e arritura nga institucionet e pavarura të drejtësisë dhe u inkurajua vazhdimi dhe konsolidimi i rezultateve të reformës.