Gazetarët në Kosovë bojkotojnë Albin Kurtin, hedhin mikrofonat përtokë në momentin kur ai del nga Kuvendi

Gazetarët dhe kameramanët e disa mediave në Kosovë kanë vendosur mikrofonat e kamerat e tyre në tokë, në kohën që kryeministri në detyrë, Albin Kurti po dilte nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës.

Ky veprim i gazetarëve ka ndodhur në shenjë proteste pasi Albin Kurti nuk është ndalur në asnjë komunikim për mediat në asnjërën nga 5 mbledhjet e Kuvendit brenda një jave. Gazetarët kanë zgjedhur të protestojnë në këtë lloj forme, ndërsa kërkojnë transparencë nga aktorët politikë në lidhje me një temë kaq të rëndësishme, siç është konstituimi i Kuvendit të ri të Kosovës. Në pamjet e publikuara në mediat e Kosovës, degjohet edhe një gazetar që i drejtohet me ironi Kurtit: “Faleminderit zoti Kurti për prononcimin”.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i fton të gjithë aktorët politikë, dhe në këtë rast më së shumti kryetarin e partisë që ka fituar më së shumti ulëse në Kuvend, që të jetë transparent me mediat dhe publikun, për një temë kaq të rëndësishme siç është konstituimi i legjislaturës së re”, thuhet në faqen zyrtare të Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.