Dy mjete “Range Rover” që dyshohet se do përdoreshin për krime të rënda janë vjedhur para tre ditësh në Tiranë.
Mjetet luksoze janë gjetur nga policia, njëra prej tyre në Fushë Krujë dhe tjetra në Thumanë, teksa kanë qenë të parkuara në rrugë.
Ndërkohë sa u takon autorëve, ata janë ende të paidentifikuar.
Për këtë problematikë, drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, mbrëmjen e së mërkurës mblodhi në një takim urgjent vartësit e tij, si dhe drejtuesit e komisariateve në kryeqytet.
Takimi mësohet se ka zgjatur deri në orën 03:30 të mëngjesit të së enjtes, ku janë analizuar provat në lidhje me grabitjet e fundit, që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.
Krimi vijon të fitojë terren në vendin tonë ndërsa vetëm dje 54-vjeçari Agron Puka i shpëtoi një atentati, që ndodhi pranë një shkolle në Rrilë të Lezhës, duke krijuar panik në zonë.