Këtë të mërkurë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë çeli zyrtarisht garën për kreun e ri të SPAK, teksa Altin Dumanit i përfundon mandati në dhjetor të këtij viti.
Kandidatët që do të bëhen pjesë e kësaj gare kanë 3 javë afat për dorëzimin e dokumentacionit. Por me interes për opinionin publik janë emrat e mundshëm që mund të kandidojnë për të marrë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme për një mandat tre vjeçar.
Disa nga emrat më potencialë që mund t’i futen kësaj gare, janë prokurorërt Kodian Braho, Adnan Xholi, Vladimir Mara, Elvin Gogaj, Anita Jella, Doloreza Musabelliu apo Sotir Kllapi, sipas gazetares Anila Hoxha.
Altin Dumani dhe Arben Kraja nuk mund të bëhen pjesë e kësaj gare, pasi kanë qenë më herët në krye të SPAK.
Mandati i Altin Dumanit përfundon në 18 dhjetor, 3 vite pas zgjedhjes së tij në krye të SPAK, ku arriti ta kthente këtë institucion më të besuarin e qytetarëve, pas arrestimeve të shumë zyrtarëve të lartë të politikës, përfshirë këtu ish-presidentin e vendit, Ilir Meta apo kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Zgjedhja e kreut të ri të SPAK është në fokusin e SHBA dhe Bashkimit Europian, të cilët po e ndjekin nga afër këtë proces.