Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë vendimin që të gjitha biletat e ndeshjeve të Kombëtares shqiptare të shiten online ku çdo person të ketë mundësinë të blejë deri në 4 bileta.
Nëpërmjet këtij vendimi, FSHF ka vendosur të mos i japë më bileta të rezervuara tifogrupeve, mes tyre edhe tifozat Kuq e Zi, që për 21 vite kanë qenë kudo për të mbështetur Kombëtaren, pavarësisht largësisë apo kushteve të tjera.
“Në përputhje me praktikat më të mira evropiane, FSHF ka vendosur që të gjitha biletat të shiten online dhe çdo person të ketë mundësinë të blejë maksimumi 4 bileta. Ky sistem është vendosur për të garantuar një proces të hapur dhe të drejtë, ku çdo tifoz ka mundësi të barabartë për të qenë pjesë e mbështetjes së Kombëtares.
Për shumë vite, grupe të ndryshme tifozerike kanë pasur mundësinë të sigurojnë bileta të rezervuara nga FSHF. Megjithatë, me rritjen e kërkesës për bileta dhe dëshirën për të krijuar një qasje më të hapur për të gjithë tifozët shqiptarë, është vendosur që nga tani e tutje biletat të jenë të aksesueshme përmes një procesi të drejtë dhe transparent”, shkruan ndër të tjera FSHF.
Ndërkohë, ka edhe një reagim nga TKZ, të cilët akuzojnë Federatën se kjo që po bën është hakmarrje për kundërshtimet e tyre ndaj organizimit të kampionatit të përbashkët me Serbinë dhe kur dihet që këta të fundit i kemi edhe në grup, në kualifikueset për botëror.
Por pavarësisht vendimit të Federatës, ata shprehen se do të jenë gjithmonë në mbështetje të Kombëtares, duke nisur që nga sfida e së premtes në Angli, që do të zhvillohet në stadiumin “Uembli”.
Reagimi i plotë i TKZ-së:
Të nderuar anëtarë,
Si asnjëherë më parë në këto 21 vite veprimtari të Tifozave Kuq e Zi, jemi lënë pa bileta për ndeshjet e Kombëtares!
Në këto 21 vite, jo rrallëherë TKZ përbënte njerëzit e vetëm që rrinin në shkallët e stadiumit, kur nuk kishte kushte, kur nuk kishte rezultate, ku nuk kishte stadium, ku nuk kishte tifozë, pasi atëbotë përkrahja e Kombëtares konsiderohej marrëzi.
Nëse ekipi kombëtar i futbollit ka pasur një aryse të mos ndihet inferior edhe kur humbja ka qenë e prenotuar, është sepse Tifozat Kuq e Zi kanë qenë gjithnjë aty. Janë ndërruar trajnerë, lojtarë e stadiume, ndërsa të vetmit që kanë qenë të përhershëm pranë ekipit kombëtar kanë qenë Tifozat Kuq e Zi.
Tani në vitin 2025, kur jemi kualifikuar dy herë në Europian, dhe kur ekipi kombëtar ka nisur të korrë rezultate, e këssisoj edhe rritjen e kërkesës për bileta, jemi penalizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Përmes një emaili që kemi pranuar, pasi disa insistimesh, nga ana e zyrtarëve të FSHF-së jemi njoftuar se nuk do të ketë bileta të pararezervuara sikurse ka ndodhur në këto 21 vite, me arsyetimin se dëshirojnë gjithëpërfshirje dhe mundësi edhe për ata që nuk janë pjesë e grupeve tifozerike.
Ky arsyetim përveç që nuk qëndron, nuk është as i sinqertë dhe për më tepër është hakmarrje tipike nga ana e FSHF-së, për kundërshtimet tona ndaj organizimit të kampionatit të përbashkët me serbinë dhe kur dihet që këta të fundit i kemi edhe në grup, në kualifikueset për botëror.
Pra, me gjithëpërfshirjen e saj FSHF-ja nuk mendoi kur nxorri biletat me çmimet e kripura që tejkalojnë edhe çmimin e biletave për finalet e EURO 2024. Për ironi, me gjithëpërfshirje nuk mendoi as kur bëri thirrje për anëtarësim tek klubi i tiofzve, organizem ky i FSHF-së, e që doli me ofertë për “biletë të garantuar” për anëtarët e këtij klubi. Nuk mendoi as për standartin e shqiptarit të rëndomtë, por togfjalëshin “gjithpërfshirje” e përdori për të sulmuar dhe hakmarrë ndaj TKZ-së që nuk nënshtrohet, nuk i bindet, kjo pasi tribuna jonë është SOLD OUT, ndërsa që tribunat tjera ngelen akoma bosh. FSHF po bën të njejtat gabime, dhe mendon se do të ketë rezultat të ndryshëm, por po gabohet rëndë.
Stadiumin dhe përkrahjen ndaj ekipit kombëtar TKZ-së, nuk mund t’ja ndaloj askush, e as FSHF-ja. NE do të jemi të pranishëm aty, do të jemi në Uembli, do të jemi gjithkund për të dhënë mendimin tonë, për të shprehur pakënaqësinë tona. Reagimet tona nuk do të ndalen, ato veçse do të intensifikohen dhe kushdo që gënjehet për të kundërtën me keqardhje por do të zhgënjehet keq.
Tifozat Kuq e Zi
O sa mirë me qenë Shqiptar!