Fredi Beleri nuk do humbasë mandatin, zbulohet vendimi i Edi Ramës

Gjykata Speciale nuk i dha leje Fredi Belerit të bëjë nesër betimin ne konstituimin e Këshillit Bashkiak. Kjo u interpretua si humbje e mandatit të tij si kreu i ri i Bashkisë së Himarës.

Por nuk do të ndodhë kështu. Media Ditari kontaktoi disa zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste që konfirmuan se Fredi Beleri nuk e humbet mandatin. Sipas tyre, Kryeministri Rama, që ka pushtetin e vetëm ligjor për ta shkarkuar, nuk do e bëjë, edhe pse Beleri ka gjasë të vonohet më shumë se 3 muaj nga nisja zyrtare e detyrës.

Sipas intepretimit të bërë, mosbërja e betimit nuk e çon në humbje mandati por vetëm mungesa 3 mujore në detyrë. Por nisur edhe nga ndërhyrja e palës greke, kryeministri Edi Rama do presë vendimin e Gjykatës.

Bashkia e Himarës do vijojë të drejtohet nga kryetari në detyrë që humbi në zgjedhje, Gjergji Goro. Precedenti i tij është i ngjashëm me Voltana Ademin e Bashkisë së Shkodrës, që drejtoi Bashkinë pa mandat për 2 vite e gjysëm.