Opozita do të protestoj sërish këtë të hënë para Kryeministrisë, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit, Edi Rama dhe numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku.
Ndërkohë Policia e Tiranës ka publikuar planin e masave ku që prej orës 15:00 do të kufizohet lëvizja e mjeteve në disa akse rrugore.
Konkretisht, nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.