Flutura Açka: “Nëse Berisha nuk largohet do të humbasim zgjedhjet e 2025; Tabakun do ta votoja për kryetare”

Deputetja Flutura Açka është shprehur se nëse ish-kryeministri Sali Berisha nuk largohet, opozita rrezikon të humbë zgjedhjet e vitit 2025.

E ftuar në News 24, Açka tha se në mbledhjen e Kryesisë ajo nuk votoi pro ish-kryedemokratit Lulzim Basha, por pro hapjes së procesit për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së më 29 korrik.

“Unë nuk kam votuar pro Bashës, por pro hapjes së procesit për hapjen e garës për kryetar. Unë kam transmetuar sugjerimet e bazës në Elbasan. Me hapjen e procesit, nuk do të thotë që po i hapet rruga Bashës. Ne jemi të përçarë, të mpirë dhe drejtimin e kësaj lufte e ka nisur Berisha duke na përçmuar. Ky pozicion i joni i brishtë ka qenë arsyeja se përse kam dashur që të hapet një proces për zgjedhjes së kreut të ri. Ky është moment historik për t’u ndarë nga e shkuara. Unë kam dëshirë të shoh në garë talente të reja politike, intelektualë, njerëz që kanë misione, PD duhet të hapet. Basha të fitojë në mënyrë të ndershme. Nëse ky proces do të manipulohet, do denoncoj dhe do distancohem publikisht”, tha ajo.

Ndërkohë lidhur me tensionet ndodhur jashtë PD pas mbledhjes, ajo tha se nuk ka qenë e pranishme dhe se nuk ka parë se çfarë ka ndodhur. Sa i takon dorëheqjes së Tabakut si nënkryetare e PD, ajo tha se mendon se ishte emocionale, duke shtuar se do të dëshironte që kjo e fundit të garonte në 29 korrik.

“Në mbledhje, brenda ka qenë një debat konstruktiv, çfarë ka ndodhur jashtë nuk kam qenë e pranishme dhe nuk e di. Mbrëmë kam mësuar që edhe zonja Tabaku është fyer, ndërsa sot më tha që nuk ka ndodhur. Dorëheqja e Tabakut ishte besoj emocionale, por kjo nuk ka rëndësi. Nëse Tabaku hynë në garë për kryetare, unë do jem e para që do ta votoj.

Nëse Berisha nuk largohet deri në shtator, mund të rrezikojmë zgjedhjet e 2025”, u shpreh Açka.