Disa nga deputetët e Partisë Demokratike po zhvillojnë takime me qytetarët e Përmetit, pas vendimit të Apelit që i dha vulën PD-së së kryesuar nga Sali Berisha.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, në fjalën e tij ka hedhur akuza mbi kreun e SPAK, Altin Dumanin, të cilin e ka cilësuar si një peng të kryeministrit Edi Rama, me detyrën e vetme të asgjësojë opozitën.
“Tashmë jemi të pa shitur, të pa kapur, të pagjunjëzuar. Ja dolëm në 3 vite të mbajmë PD dhe opozitën gjallë. Ia dolëm të kthejmë edhe flamurin që na ishte marrë peng.
Nuk mjafton vetëm opozita që të luftohet krimi i organizuar dhe të luftohet shpopullimi. Në vendin tonë vetëm opozita është në shërbim të qytetarëve. Ku është drejtësia e re? Ku është Altin Dumani? A ju dha shqiptarëve një përgjegjës për inceneratorët. A ju dha shqiptarëve ai dhe SPAK një përgjegjës për inceneratorët? Jo. Dumani nuk ka këllqe të luftojë korrupsionin sepse është peng i Ramës dhe regjimit. I është caktuar vetëm një detyrë, të bëhet krah Ramës për të asgjësuar opozitën”, tha ai.