Banka Qëndrore e Shqipërisë është e vendosur të mos ndërhyjë në tregun e këmbimit valutor.
Prej fillimit të vitit që shkoi euro ka pësuar rënie të vazhdueshme në raport me lekun. Para më shumë se një viti 1 euro këmbehej mesatarisht me 122 lekë, ndërsa ditën e sotme (7 qershor), euro ka rënë në 106.5 lekë. Dollari gjithashtu ka pësuar rënie. Sot 1 dollar këmbehet me 99.4 lekë, në krahasim me rreth një vit më parë kur 1 dollar këmbehej me 111 lekë. Monedha e huaj ka arritur kështu minimumin më të ulët historik.
Qeveria duket se nuk po bën asnjë hap për të ndalur “eurozimin”, i cili duket se po prek të gjitha hallkat e ekonomisë, pasi edhe kreditë dhe depozitat në sistemin bankar në masën më të madhe janë në monedhën europiane. Në mbledhjen e sotme të qeverisë u vendos vetëm shtyrja e afatit të kësteve të tatim fitimit për eksportuesit, të cilët shihen si kategoria më e prekur nga zhvlerësimi i euros.
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, tha se deri në mars të vitit të ardhshëm, eksportuesit nuk do të paguajnë tatim mbi fitimin ndërsa shtoi se do të bëjnë këtë pagesë vetëm në rast se janë me fitim pasi të bëjnë bilancin. Masat e tjera përfshijnë edhe rimbursimin e TVSH-së që do të jepet në një kohë më të shkurtër.
“ Subjektet që janë eksportues mbi 70 përqind të produkteve nuk do të parapaguajnë këstet e tatim fitimit por vetëm gjatë vitit të ardhshëm. Janë edhe disa masa të tjera që nuk kanë nevojë për ndërhyrje ligjore, rimbursimi i TVSH që për eksportuesit do të jepet brenda një afati të shkurtër. Jemi në diskutim me bankat e nivelit të dytë që ofrojnë produkte ku bizneset të fiksojnë kursin e këmbimit për kontratat që i vendosin një vit në avancë.”, tha ministrja.
Ekspertët e konsiderojnë qesharake këtë masë, e cila sipas tyre eksportuesve nuk ua heq barrën që ju bie nga ulja e vlerës së produkteve në tregun ndërkombëtar. Gjithashtu vendimi nuk prek aspak kategoritë e tjera të shoqërisë që preken direkt nga zhvlerësimi i euros. Ata që e pësojnë janë sidomos bizneset dhe individët që të mund të kenë kredi në lekë dhe ata që të ardhurat i kanë në euro.
Sipas ekspertëve të ekonomisë qeveria përfiton nga kjo situatë, pasi ajo në mënyrë pasive përfiton në uljen e shifrave të borxhit të huaj për shkak të zhvlerësimit të valutës në vend.