ËNDËRR PËR NJË KARRIGE! “Lufta 1 milion dollarëshe” për FRONIN e Gjykatës Kushtetuese

Konsolidimi i Gjykatës Kushtetuese ishte një proces që e la Shqipërinë për më shumë se 2 vite pa një nga institucionet më të rëndësishme, pasi ish-anëtarët e saj u shkarkuan nga vetting-u apo dhanë dorëheqjen për t’i shpëtuar procesit të rivlerësimit.

Plotësimi i vendeve vakante të “Kushtetueses” solli edhe një “luftë” të ashpër mes kryeministrit Rama dhe ish-Presidentit Ilir Meta, të cilët jo vetëm që nuk bashkëpunuan për t’i dhënë vendit Gjykatën Kushtetuese sa më parë, por kaluan edhe në akuza personale ndja njëri-tjetrit.

Sot, Gjykata Kushtetuese është e plotësuar me 9 anëtarë, teksa ka marrë edhe vendime për dy çështje të rëndësishme, atë të Portit të Durrësit dhe për ndërtimet pa leje. Të dy vendimet u dhanë në favor të qeverisë, duke rrëzuar kërkesat e opozitës që pretendon se marrëveshja për Portin e Durrësit nuk është asgjë tjetër veçse një aferë korruptive, ndërsa ndërtimet pa leje do t’i mundësojnë qreverisë të vendosë “gjoba” mbi ndërtuesit.

Ndërkohë, në Parlament ka kaluar për miratim projektligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë që do të sjellë dyfishimin e pagës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ky ligj kërkon 84 vota, që mazhoranca duket se do t’i plotësojë me ndihmën e Lulzim Bashës dhe deputetëve që e mbështesin.

Por sa do të jetë rroga e re e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese?

Sipas projektligjit të ri, një anëtar kushtetues do të përfitojë rreth 644 mijë lekë të reja në muaj, ndërsa kryetari i Kushtetuese do të paguhet 773 mijë lekë të reja. Një rrogë dyfish më e lartë edhe se e gjyqtarëve të GJKKO, të cilët gjykojnë çështje shumë më të rënda.

Me një llogari të thjeshtë, paga e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, shkon në rreth 100 mijë dollarë në vit. Në 9 vite të mandatit të tij, kryetari i kësaj gjykate do të marrë afërsisht 1 milionë dollarë, duke përfshirë edhe pagesat e tjera.  Pra, tashmë synimi i çdo gjyqtari do të jetë “froni” i Gjykatës Kushtetuese dha “rrëmbimi” i 1 milionë dollarëve, çfarë do të sjellë edhe një luftë të ashpër për një vend në “Kushtetuese”.

Por nëse anëtarët e fundit të “Kushtetueses” u zgjodhën pas “luftës” Rama-Meta, tashmë këtë herë do të jetë më e thjesht, pasi Presidenti “ushtarak” Bajram Begaj ka treguar se qëndron “gati-tu” gjithmonë përpara kryeministrit, ndaj edhe anëtarët e tjerë do të jenë sipas dëshirës së qeverisë.

Një gjyqtari të “Kushtetueses” i duhen 9 vite për të bërë milionin e parë, një qytetari të thjesht shqiptar i duhen më shumë se 2 jetë, plot 208 vite. Kjo shifër është përllogaritur nga organizata Nunbeo mbi bazën e të ardhurave mesatare, që tregon sesa të varfër janë shqiptarët, ndërkohë që rrogat vijojnë të rriten vetëm për pushtetarët, ndërsa më shumë se 50% e njerëzve në këtë vend e kanë të vështirë edhe të nxjerrin muajin me bukë.

Pra, sipas logjikës së kësaj qeverie, paga më e lartë e gjyqtarëve do të sillte drejtësi më të mirë, në një vend ku padrejtësitë më të mëdha janë bërë pikërisht nga prokurorët dhe gjyqtarët, që me vendimet apo mosvendimet e tyre i kanë lejuar këta politikanë të vjedhin e plaçkisin çdo pasuri të këtij vendi, si dhe të pasurojnë veten e miqtë e tyre.