Ende pa nisur mirë sezoni, sërish dy turistë të huaj shpëtohen nga policia, kishin mbetur të bllokuar në Gjirin e Anglezit

Dy turistë lituanezë janë shpëtuar mbrëmjen e djeshme, pasi kishin mbetur të bllokuar në vendin e quajtur “Gjiri i Anglezit”.

Ata ishin duke bërë ecje, por më pas e kishin të pamundur të vazhdonin lëvizjen, pasi nuk ndiheshin mirë.

Pas disa orë kërkimesh, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe gjetën 2 turistët e huaj, të cilët më pas u shoqëruan me mjetin e Policisë Kufitare, në Himarë, ku ata ndodhen aktualisht në gjendje të mirë shëndetësore.

 Kjo nuk është hera e parë që turistët mbesin të bllokuar ose humbasin në rrugët malore dhe kodrinore. Vetëm ditën e djeshme policia njoftoi për një turiste franceze e cila prej disa ditësh kishte humbur në Malin e Çikës. Fatmirësisht ajo u gjet shëndoshë e mirë nga policia.

Gjiri i Anglezit është një nga perlat e fshehura të bregdetit shqiptar, por deri tani mund të vizitohet vetëm me anije. Kushdo që ka dëshirë ta eksplorojë këtë mrekulli duhet ta bëjë vetëm përmes inisiativave personale.

Përveç tij në Shqipëri, turizmi malor, edhe atje ku shënon rritje dhe sukses, është i i varur nga rastësitë dhe nuk zhvillohet sipas një strategjie të mirëmenduar dhe me objektiva të qarta.

Njoftimi i policisë:

Policia Kufitare Himarë iu vjen në ndihmë 2 turistëve lituanezë të cilët ishin bllokuar në Gjirin e Anglezit.

Mbrëmjen e djeshme, salla operative e Policisë Vlorë ka marrë njoftim për 2 turistë lituanezë që ishin duke bërë ecje në vendin e quajtur “Gjiri i Anglezit”. Ata e kishin të pamundur të vazhdonin lëvizjen, pasi nuk ndiheshin mirë dhe nuk mund të vazhdonin më tej.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë Kufitare për t’iu ardhur në ndihmë turistëve.

Pas disa orë kërkimesh, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe gjetën 2 turistët e huaj, të cilët më pas u shoqëruan me mjetin e Policisë Kufitare, në Himarë, ku ata ndodhen aktualisht në gjendje të mirë shëndetësore.

Turistët kanë falëmderuar shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar.

Policia Kufitare e Vlorës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe vizitorëve, për të krijuar një ambient sa më të sigurt.