EMRI/ Vritet 35-vjeçari shqiptar në Itali, i riu u gjet me duar të lidhura në bagazhin e një makine

Një 35-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri në Itali. Mediat e vendit fqinj bëjnë  me dije se trupi i tij është gjetur brenda një automjeti të fundosur në ujë në zonën e Padovës.

Ndërkohë viktima, i identifikuar si Ferdinant Hoti është gjetur me duart e lidhura.

Prokuroria italiane ka konfirmuar se bëhet fjalë për një vrasje dhe jo për një aksident.

Hipoteza kryesore e hetuesve është se ngjarja mund të lidhet me larje hesapesh në qarqe kriminale të përfshira në trafikun e drogës.

Megjithatë, kjo mbetet një hipotezë hetimore dhe autoritetet italiane po punojnë për të zbardhur motivin e saktë të vrasjes, si dhe për të identifikuar personat që mund të kenë qenë të përfshirë.

Automjeti do t’i nënshtrohet një ekspertize të detajuar kriminalistike. Ekspertët pritet të kontrollojnë kabinën dhe pjesët e tjera të makinës për gjurmë gjaku, materiale biologjike dhe prova të tjera që mund të ndihmojnë në rindërtimin e dinamikës së vrasjes.

Hetuesit po verifikojnë veçanërisht nëse ka shenja që tregojnë se viktima është qëlluar brenda automjetit apo në një tjetër vend.

Një nga skenarët e marrë në konsideratë është që 35-vjeçari të jetë vrarë diku tjetër dhe më pas të jetë transportuar me makinë, përpara se automjeti të përfundonte në ujë. Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia që vrasja të ketë ndodhur brenda Fiat Bravo-s, ku u gjet trupi i pajetë i të riut.