Një sasi monetare prej 223 200 euro janë sekuestruar në Portin e Durrësit. Policia ka arrestuar një 36-vjeçar, i cili po tentonte t’i kalonte këto para drejt Italisë.
I arrestuari është Mariglent Daiu, rezident në Itali. Paratë i kishte futur në çantën e shpinës dhe nuk i kishte deklaruar në Pikën Kufitare, siç e parashikon ligji.
Njoftimi i Policisë:
“Sekuestrohen 223 200 euro të dyshuara produkt i veprimtarive kriminale. Arrestohet 36-vjeçari, rezident në Itali, që tentoi t’i nxirrte paratë nga Shqipëria, pa i deklaruar në pkk. Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të imtësishme në hyrje/dalje të Shqipërisë, me objektiva parandalimin dhe goditjen e krimeve ne kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në bashkëpunim me autoritetet doganore, finalizuan operacionin “Aseti”. Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi shqiptar, Mariglent Daiu, 36 vjeç, rezident në Itali, sepse iu gjetën në çantën e shpinës, 223 200 euro që tentonte t’i nxirrte nga Shqipëria, pa i deklaruar në pkk. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, ku vijojnë hetimet për të përcaktuar burimin e këtyre parave”, njofton policia.