Pronari i një parukerie është arrestuar në Tiranë ndërsa bashkëshortja e tij është proceduar në gjendje të lirë.
Policia njofton se në pranga përfundoi Besmir Aliko, i cili nuk ka paguar punonjëset në parukerinë në pronësi tij. Po ashtu, dyshohet se pajisjet me të cilat kryhej aktiviteti ekonomik në këtë subjekt, ishin kontrabanduar.
Bashkëshortja e Alikos, Kaltrina Balaj, po hetohet në gjendje të lirë. Kallëzimin në polici e kanë bërë 5 punonjëset e çiftit, dhe shuma që nuk u është paguar është rreth 20.250 euro në total.
“Nuk iu dhanë pagat (rreth 20 250 € në total), punonjëseve në subjektin e tyre (parukeri), vihet në pranga pronari dhe procedohet penalisht bashkëshortja e tij. Gjithashtu, dyshohet se pajisjet me të cilat kryhej aktiviteti ekonomik në këtë subjekt, ishin kontrabanduar. Si rezultat i administrimit të shpejtë të kallëzimeve të 5 shtetaseve, se ishin shfrytëzuar në vendin e tyre të punës (parukeri), duke mos u paguar për punën e kryer, si dhe duke u mashtruar mbi këtë aspekt, nga punëdhënësit e tyre, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh finalizuan operacionin e koduar “Kolektivi”. Gjatë operacionit u vu në pranga shtetasi B. A., 41 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëshorten e tij, shtetasen K. B., 38 vjeçe”, thuhet në njoftim.