EMRI/ Me kallashnikov në çantë rrugëve të Librazhdit, arrestohet 20 vjeçari

 Një 20 vjeçar është arrestuar nga policia mëngjesin e sotëm, pasi është kapur në flagrancë duke lëvizur me një kallashnikov në çantë në fshatin Qukës të Librazhdit.

Bëhet me dije se në pranga ka rënë Stiven Faqolli, banues në fshatin Qukës, teksa policia ka sekuestruar armën dhe municionin luftarak që ndodheshin në çantën e të riut.

Njoftimi i Policisë:

Sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov, krehra dhe fishekë të saj.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe ata të Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Elbasan, në vijim të kontrollit permanent të territorit, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, kanë siguruar informacione se një shtetas lëvizte në fshatin Qukës, me armë zjarri me vete.

Në bazë të këtyre informacioneve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Bushtrica”, si rezultat i të cilit, është kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasi S. F., 20 vjeç, banues në fshatin Qukës.

Nga kontrolli në çantën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak për të.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti dhe të qëllimit të këtij shtetasi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.