EMRI/ Kërcënoi gruan dhe djalin se do t’i vriste me hanxhar, arrestohet 48 vjeçari në Tiranë

Një ngjarje e rëndë është parandaluar në Tiranë ku një 48 vjeçar, i cili ndodhej në “arrest shtëpie” ka kërcënuar me hanxhar bashkëshorten dhe djalin.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme ku efektivët e Komisariatit Nr.6 në kryeqytet janë njoftuar se në një banesë në rrugën “Haki Stërmilli”, një shtetas po kanoste familjarët e tij. Pas marrjes së informacionit, ata kanë shkuar në vendin e ngjarjes.

Si rezultat i ndërhyrjes policore u parandalua ngjarja kriminale në këtë familje, si dhe u arrestua në flagrancë Elvis Bana.

Nga verifikimet rezultoi se 48-vjeçari ishte aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandalon ngjarje kriminale në një familje.

Ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, kanoste bashkëshorten dhe djalin, se do t’i vriste, arrestohet 48-vjeçari.

Sekuestrohet mjeti prerës (hanxhar), me të cilin kanoste 48-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, sapo janë njoftuar se mbrëmë, në një banesë në rrugën “Haki Stërmilli”, një shtetas po kanoste familjarët e tij, për jetën, me mjet prerës (hanxhar), kanë shkuar në vendngjarje. Si rezultat i ndërhyrjes policore profesionale u parandalua ngjarja kriminale në këtë familje, si dhe u arrestua në flagrancë autori i dyshuar i rastit, shtetasi E. B., 48 vjeç, banues në Tiranë.

Nga verifikimet e mëtejshme në lidhje me rastin, rezultoi se 48-vjeçari ishte aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.