Eldi Allushi është 26 vjeçari nga Durrësi që u aksidentua mëngjesin e sotëm te diga e Liqenit dhe u arratis nga vendi i ngjarjes.
Ai po udhëtonte me mjetin e tij luksoz BMW X6 me shpejtësi shumë të lartë dhe është ngjitur me shpejtësi nga ana e poshtme e digës, duke përfunduar te pedonalja e Liqenit, ku u përplas me bordurën mbrojtëse anës liqenit.
Allushi dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur, por pas aksidentit është larguar menjëherë nga vendngjarja, duke marrë edhe targat me vete. Në rrjetet sociale 26 vjeçari reklamon jetën luksoze, por tashmë është vënë në ndjekje nga policia, pasi akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 22.08.2023, rreth orës 05:15, në Rrugën e Kosovarëve, dyshohet se automjeti tip “BMW” me drejtues shtetasin E. A., 26 vjeç, banues në Durrës, ka dalë jashtë rruge dhe është ngjitur në skarpatin e digës së liqenit, më pas është përplasur me bordurën mbrojtëse anës liqenit.
Drejtuesi ka braktisur automjetin dhe është larguar nga vendi i aksidentit.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

