EMRAT/ Korrupsioni në Bashkinë e Tiranës, arrestohen 3 qytetarë që protestuan për dorëheqjen e Erion Veliajt, 10 në kërkim

3 qytetarë janë arrestuar nga policia e kryeqytetit pas protestës që opozita organizoi dje para Bashkisë së Tiranës, ku kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, pas skandalit me aferën e dosjes “5D” që çoi në pranga disa drejtorë të bashkisë për korrupsion dhe fshehje pasurie.

Të arrestuarit janë: Kevin Vidrica, Bernard Metaliaj dhe Franci Kaloshi.

Ndërkohë mësohet se ka persona të proceduar, mes tyre Tedi Blushi dhe Klevis Balliu si dhe 10 të tjerë janë shpallur në kërkim. Protesta u shoqërua me tensione dhe në një moment qytetarët hodhën molotov në drejtim të godinës së bashkisë.

Policia e Tiranës në njoftimin zyrtar thotë se në momentin që ka marrë fjalën Belind Këlliçi, në drejtim të portës hyrëse të Bashkisë Tiranë, janë hedhur sende të forta dhe lëndë piroteknike artizanale

Më pas, protestuesit në drejtimin e shtetasve Flamur Noka, Klevis Balliu, Tedi Blushi, dhe të personave të tjerë, kanë tentuar të çajnë kordonin e Policisë, në portën tjetër të Bashkisë, nga krahu i sheshit “Skënderbej”, dhe gjatë këtij momenti ka patur konfrontim midis protestuesve dhe punonjësve të Policisë.

Gjithashtu po punohet për identifikimin dhe kapjen e dy shtetasve, të cilët kanë hedhur dhe kanë përdorur lëndë piroteknike (molotov).

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Në lidhje me protestën e organizuar ditën e djeshme, më datë 19.04.2024, në orën 11.00, përpara Bashkisë Tiranë, thirrur nga Aleanca për Teatrin, e cila filloi në orën 11.00 me fjalime dhe përgjithësisht e qetë, në momentin që ka marrë fjalën shtetasi B. K., në drejtim të portës hyrëse të Bashkisë Tiranë, janë hedhur sende të forta dhe lëndë piroteknike artizanale (molotov).

Pas kësaj një grup protestuesish, në drejtimin e shtetasve F. N., K. B., T. B., dhe të personave të tjerë, kanë tentuar të çajnë kordonin e Policisë, në portën tjetër të Bashkisë, nga krahu i sheshit “Skënderbej”, dhe gjatë këtij momenti ka patur konfrontim midis protestuesve dhe punonjësve të Policisë.

Pas përfundimit të protestës janë kryer veprimet procedurale, është këqyrur vendi i ngjarjes, ku janë sekuestruar në cilesinë e provës materiale objekte dhe sende të hedhura në drejtim të Bashkisë Tiranë, të cilat janë dërguar për ekspertime të mëtejshme kriminalistike.

Për përdorim të lëndëve piroteknike (molotov) janë arrestuar në flagracë shtetasit K. V., 18 vjeç, dhe B. M.,18 vjeç.

Gjithashtu po punohet për identifikimin dhe kapjen e dy shtetasve, të cilët kanë hedhur dhe kanë përdorur lëndë piroteknike (molotov).

Për ushtrim dhune ndaj punonjësve të Policisë është arrestuar shtetasi F. K., banues në Lushnjë.

Janë proceduar ne gjendje të lirë shtetasit K. B., T. B., E. V., D. B. Po punohet për kapjen e shtetasve A. T., R. D., A. M., J. H., B. Z., B. Gj., E. P., dhe A. P.

Gjithashtu janë administruar pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e pamjeve për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.

Materialet procedurale do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.

Pak orë pas përfundimit të protestës, pati edhe reagime nga ambasadat diplomatike në vendin tonë, të cilat njëzëri dënuan dhunën gjatë protestës.

Megjithatë opozita ka paralajmëruar se nuk do ndalet dhe të premten tjetër do të mbahet sërish një protestë.

Ata kanë thënë në daljet publike se do të protestojnë derisa Veliaj të vendoset përpara drejtësisë njëlloj si drejtorët e tij të arrestuar si pjesë e dosjes “5D”.