Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin “Risia” ku u sekuestruan 12 kilogramë kanabis në trajtë xhelatinoze.
Gjatë këtij aksioni u arrestua 22-vjeçari Mariglen Vata, ndërsa u shpall në kërkim Flavio Ismalaj. Ky i fundi, po transportonte lëndën narkotike, por pas sinjalizimit të policisë ka braktisur automjetin në autostradën “Tiranë-Elbasan” dhe është larguar.
Gjatë ndjekjes, shërbimet e Policisë konstatuan se lëvizjet e këtij automjeti, monitoroheshin dhe siguroheshin nga automjeti me drejtues Mariglen Vatën, i cili u kap dhe u vu në pranga.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi edhe një sasi kokaine në banesën e të arrestuarit.
“Tiranë/Finalizohet operacioni antidrogë, i koduar “Risia”.
Sekuestrohen mbi 12 kg Cannabis në trajtë xhelatinoze që ishin përgatitur për t’u shitur në vendin tonë.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim 22-vjeçari që transportonte lëndën, në autostradën “Tiranë-Elbasan”, në orët e para të mëngjesit.
Arrestohet bashkëpunëtori i tij, i cili kontrollonte itinerarin e lëvizjes së automjetit me lëndë narkotike.
22-vjeçari i arrestuar gjithashtu mbante në banesë, sasi Kokaine.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në vijim të punës operative intensive, për një rast të transportimit të lëndës narkotike Cannabis Sativa, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve finalizuan operacionin e koduar “Risia”, në kuadër të të cilit shpallën në kërkim shtetasin F. I., 22 vjeç, dhe arrestuan në flagrancë bashkëmoshatarin e tij, shtetasin M. V., të dy banues në Paskuqan.
Në orët e para të mëngjesit të datës 19.11.2026, i është bërë shenjë ndalimi automjetit që drejtonte shtetasi F. I., i cili nuk është bindur, ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, ka braktisur automjetin në autostradën “Tiranë-Elbasan” dhe është larguar.
Gjatë ndjekjes, shërbimet e Policisë konstatuan se lëvizjet e këtij automjeti, monitoroheshin dhe siguroheshin nga automjeti me drejtues shtetasin M. V., i cili u kap dhe u vu në pranga.
Nga kontrolli në automjetin që braktisi shtetasi F. I. u gjetën 12.1 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, në trajtë xhelatinoze, ndërsa nga kontrolli në banesën e të arrestuarit u gjet sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë.
Lëndët narkotike u sekuestruan bashkë me 2 automjetet dhe 3 celularë.
Punohet për kapjen e shtetasit F. I., si dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimi për të identitifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, shkruan Policia.