Elena Pelushi është emëruar Zëvendësinspektore e Lartë e Drejtësisë, pas përfundimit të procedurës ligjore të ndjekur nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, me një mandat 2 vjeçar.
Kandidatura e saj u propozua nga Mbledhja e Përgjithshme e Inspektorëve, teksa pas votimit të fshehtë, emri i saj iu dërgua Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, i cili vendosi për emërimin e saj.
Pelushi vjen në këtë detyrë me një eksperiencë të gjatë në sistemin e drejtësisë. Ajo ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002, në profilin e prokurores, dhe ka ushtruar këtë funksion deri në shkurt të vitit 2021.
Më pas, ajo është komanduar pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ku ka shërbyer si inspektore magjistrate.
Sipas ligjit, Zëvendësinspektori i Lartë i Drejtësisë ushtron detyrat e drejtuesit në mungesë të tij, por nuk përfshihet në kompetencat kryesore që lidhen me hetimet disiplinore, inspektimet dhe nxjerrjen e urdhrave.