EMRI/ Kamioni përplas për vdekje 61 vjeçarin në Kombinat, plagoset edhe një polic

Një aksident me vdekje është regjistruar paraditen e sotme në Tiranë ku një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur.

Blutë e Tiranës bëjnë me dije se një kamion është përplasur me një motomjet në rrugën “Llazi Miho”. Për pasojë ka humbur jetën drejtuesi i motorit, 61 vjeçari Ylmi Dedja dhe i plagosur ka mbetur një punonjës policie, i cili ndodhej rastësisht në vendin e ngjarjes.

Shoferi i kamionit u shoqërua në komisariat, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Tiranë/Informacion paraprak

Rreth orës 10:45, në rrugën “Llazi Miho”, kamioni me drejtues shtetasin G. Gj., rreth 34 vjeç, është përplasur me një motomjet me drejtues shtetasin Y. D., 61 vjeç, i cili për pasojë ka humbur jetën.

Nga aksidenti është dëmtuar edhe shtetasi K. A., këmbësor (punonjës policie, jashtë detyre), i cili po merr ndihmë mjekësore në spital.

Shtetasi G. Gj., u shoqërua në Komisariat, për kryerjen e veprimeve procedurale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.