Ushtari i forcave speciale amerikane arrestohet pasi dyshohet se fitoi 400 mijë dollarë nga basti për operacionin ndaj Maduros

Një ushtar i forcave speciale amerikane është arrestuar dhe akuzuar pasi dyshohet se ka përfituar rreth 400,000 dollarë nga vendosja e basteve mbi një operacion sekret që lidhej me kapjen e presidentit venezuelian Nicolas Maduro.

Sipas një aktakuze të bërë publike të enjten, Master Sgt. Gannon Ken Van Dyke kishte hapur në fund të dhjetorit një llogari në platformën e parashikimeve “Polymarket”, ku vuri rreth 32,000 dollarë se Maduro do të ishte “jashtë pushtetit” deri në janar.

Prokurorët pretendojnë se Van Dyke ishte i përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e operacionit, si dhe kishte qasje në informacione të klasifikuara përpara se të vendoste bastet. Fitimet e tij, edhe pse fillimisht anonime, u vunë shpejt në vëmendjen e autoriteteve.

Ushtari aktiv, i stacionuar në Fort Bragg, përballet me pesë akuza penale, përfshirë vjedhje dhe keqpërdorim të informacionit konfidencial, si dhe mashtrim financiar. Ai pritet të dalë për herë të parë para gjykatës në Karolinën e Veriut. Në dokumentet gjyqësore nuk figuron ende një avokat mbrojtës.

Sipas hetimeve, Van Dyke ka kryer 13 baste nga 27 dhjetori deri më 2 janar, ndërsa basti i fundit është vendosur vetëm disa orë para operacionit të kapjes. Prokurorët thonë se ai më pas ka transferuar fitimet prej mbi 400,000 dollarësh në një portofol kriptomonedhash jashtë SHBA-së, përpara se t’i depozitonte në një llogari brokerimi online, në përpjekje për të fshehur origjinën e fondeve.

“Personat që u besohen sekretet e kombit kanë detyrimin t’i mbrojnë ato dhe të mos i përdorin për përfitim financiar,” deklaroi prokurori amerikan Jay Clayton.

Dokumentet gjyqësore përshkruajnë gjithashtu se Van Dyke është fotografuar gjatë periudhës së operacionit në një anije ushtarake, i veshur me uniformë dhe i armatosur.

Paralelisht, Komisioni Amerikan për Tregtimin e Mallrave (CFTC) ka ngritur një padi civile kundër tij, duke kërkuar konfiskim të fitimeve dhe penalitete financiare.

Sipas mediave amerikane, hetimi federal për këtë rast kishte nisur prej muajsh, ndërsa autoritetet kishin shqyrtuar edhe aktivitetin në platformën “Polymarket”.

Rasti ka rikthyer debatin mbi tregjet e parashikimit, të cilat janë zgjeruar ndjeshëm vitin e fundit, por që shpesh kritikohen për rrezikun e përdorimit të informacionit të brendshëm dhe mungesën e rregullimit të fortë ligjor.