Edmond Spaho: Vizita e Klinton u privatizua nga Rama, ne të PD u trajtuam si kulakë

Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho ka komentuar vizitën e ish-presidentit Klinton në Tiranë, si dhe situatën në Kosovë. I ftuar në rubrikën Opinion në News24, Spaha tha se Rama e privatizoi vizitën e Klinton, ndërsa shtoi se deputetet demokratë u trajtuan si kulakë dhe nuk u ftuan.

Po ashtu ai tha se edhe liderët politikë në Kosovë nuk u ftuan në ceremoninë e djeshme.

“Clinton dha një kontribut në çlirimin e Kosovës dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë për shqiptarët. Vizita u privatizua nga kryeministri ynë. Edhe diferencimet që bëri në shpërndarjen e ftesave. Nuk kishte asnjë personalitet nga elita drejtuese e Kosovës. Jo jo, ne hymë të klubi i kulakëve (S’morën ftesë për ceremoninë e djeshme të Clinton). Në raste të tilla është e udhës që këto sherre mos të jenë pjesë e pasqyrës që t’i ofrohen të huajve. Më pëlqeu sot qëndrimi i dy kryeministrave, ai i Holandës dhe i Luksemburgu, që i kontribuon shtensionimet e situatës. Situata në Kosovë duhet normalizuar. Ka hapa që duhen marrë sa më shpejt. Garancia që duhet të japë komuniteti ndërkombëtar, dhe vendet e BE-së është që të ruhet integriteti territorial dhe pavarësia e Kosovës. Përpjekja që po bëhet për asociacionit, është përpjekje për shkëmbim territori. Serbia duhet ta njoh Kosovën brenda territoreve që kjo e fundit ka. Qëndrimi i Ramës ndaj Kosovës ka qenë i gabuar. Atë s’e ka shqetësuar shumë gjendja e Kosovës, se sa objektivat e tij personal në raport me rajonin. Edhe pezullimi i manovrave të NATO-s ku do të merrte pjesë Kosova, nuk ishte e arsyeshme. Kush i plagosi ata dhjetëra policë të KFOR-it? Vendosja e disa kufizimeve nga BE për Kosovën nuk është produktive.”, tha ai.

Duke u ndalur te çështja e emërimit të familjarëve të Ermonela Felajt në Prokurorinë e Tiranës, Spaho tha se me këtë veprim cënohet besimi i qytetarëve te drejtësia.

“Ligji ndalon punësime të kësaj natyre. Në Shqipëri lidhjet familjare janë të dukshme. Kjo u kërkua që të thyhej, korporatizimit. Ky është nepotizimi në mënyrën më ekstreme. S’di asnjë rast, qoftë në diktaturë, që 4 familjarë të jenë në një institucion. Ata nuk e kanë shkelur ligjin, por e miratuan ligjin, që të lejojë punësimi i familjarëve. Prokuroria e Tiranës, është prokuroria Felaj”, përfundoi ai.