Drafti i propozuar nga kryeministri Edi Rama për asociacionin e komunave serbe në veri të Kosovës, nuk është pritur mirë as nga Serbia. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç thotë se Rama dhe Kurti nuk kanë të drejtë të bëjnë një propozim për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.
Gjatë një interviste për Reuters, lideri serb ripërsëriti se të drejtën e propozimit të këtij statuti e ka vetëm ekipit menaxhues, për të cilin është rënë dakord më herët, i përbërë nga serbët.
“Kur dëgjoni që Kurti ka propozimin e tij për Asociacionin e Komunave Serbe, se Rama ka propozimin e tij për Asociacionin e Komunave Serbe, që disa OJQ kanë propozimin e tyre për Asociacionin e komunave serbe, asnjëri prej tyre nuk ka të drejtë të ketë propozime. Ai propozim duhet të bëhet nga serbët dhe ekipi menaxhues i përbërë nga serbët”, tha Vuçiç.
Ndërsa qeveria e Kosovës në një reagim zyrtar të bërë ditën e djeshme ka thënë se vendit i duhet mbështetja e Shqipërisë dhe jo ndërmjetësimi me Francën apo Gjermaninë, ku Rama ka dërguar draftin e propozuar.
“Çështja e kryetarëve të katër komunave në veri të vendit është çështje e respektimit të kushtetutës, sundimit të ligjit dhe ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve tanë, që për shkak të bojkotit të diktuar nga Serbia u kishin munguar për plot 6 muaj. Çështja e marrëveshjeve të mëhershme për asociacionin e komunave me shumicë serbe është çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës, dhe kjo u dëshmua me draftin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues që drejtohej nga deputetja e Vuçiqit që synonte një Republikë Serbe në Kosovë dhe së fundmi me Non-paperin e Akademisë së Shkencave dhe e Artit e Serbisë që flet për “Botën Serbe. Në të dy rastet në pyetje është Kosova. Në të dy rastet rreziku është Serbia. Ata që janë të lirë në qëndrime dhe pa ndonjë ngarkesë, e kuptojnë këtë. Nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje. Ndërmjetësues kemi shumë “, tha Përparim Kryeziu, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës.