Bledar Valikaj është prokurori i vetëm në Shqipëri që ende nuk i është nënshtruar procesit të Vettingut, pavarësisht se vijon punën në Prokurorinë e Tiranës.
Këtë e ka zbuluar kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, në Komisionin e Ligjeve, gjatë raportimit të KLP-së në Kuvend.
Bledar Valikaj është bashkëshorti i deputetes socialiste Ermonela Felaj, i cili sipas Bardhit, i është shmangur 2 sistemeve të Vettingut, ndryshe nga kolegët e tij.
“Prokurori Bledar Valnikaj, bashkëshorti i deputetes Ermonela Felaj. Është i vetmi prokuror në Republikën e Shqipërisë që nuk i është nështruar vetingut në asnjë komponent. Kushtetuta thotë që çdo prokuror që do të rrijë në sistem duhet t’i nështrohet vetingut. Sot i vetmi prokuror në Shqipëri është Bledar Valnikaj, që nuk ka kaluar sistemin e vetingut. Po ashtu ka një shqetësim që në të njëjtin institucion janë emëruar 4 anëtarë të një familje. Këtu ka të bëjë me vendimmarrje në konflikt të interesit”, tha Bardhi.
Kujtojmë se opozita hodhi akuza të forta ndaj deputetes Felaj, pasi përveç bashkëshortit, në Prokurorinë e Tiranës janë edhe 3 pjesëtarë të tjerë të familjes së saj, vëllai, motra dhe kunata.
Lexo edhe: “Kunati i shokut Xhemal”, BIRN: KLP finalizon transferimin e motrës së Felajt në Tiranë