E rëndë në Durrës, babai plagos vajzën dhe një kalimtar që tentoi ta ndalonte

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Durrësit, ku 56 vjeçari Mikel Ndoj ka plagosur me thikë në rrugë vajzën e tij, Xhensila Ndoj, 24 vjeçe.

Një kalimtar që ka parë ngjarjen ka tentuar ta ndalojë 56 vjeçarin, por për pasojë ka mbetur edhe vetë i plagosur. Të dy janë nisur drejt spitalit ku janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia po punon për arrestimin e autorit.

Ndërkohë, janë mësuar edhe detajet e sherrit mes babait dha vajzës. Prindërit e vajzës ishin divorcuar dhe babai jetonte në Itali, teksa ishte kthyer për t’u bashkuar me familjen. Vajza nuk ka pranuar dhe kjo ka sjellë edhe konfliktin që ndodhi në rrugë.

Njoftimi i Policisë:

Më datë 26.01.2026, rreth orës 10:03, shtetasi M. N., 56 vjeç, në rrethana ende të paqarta, ka plagosur në rrugë me mjet prerës (thikë) vajzën e tij, shtetasen Xh. N., 24 vjeçe, banuese në lagjen nr. 12, Durrës.

I plagosur ka mbetur edhe shtetasi O. M., kalimtar i rastit, i cili ka ndërhyrë në momentin që babai ka plagosur vajzën me mjet prerës (thikë).

Të dëmtuarit ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë po vijojnë punën për kapjen e 56-vjeçarit.