E pritshme, socialistët refuzojnë kërkesën për mocion me debat për drogën në Xibrakë

Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi ka refuzuar kërkesën e demokratëve për mocion me debat për çështjen ‘Xibraka’. Ka qenë kreu i grupit të demokratëve Gazment Bardhi, që ka bërë kërkesën duke thënë se laboratori i Xibrakës nuk është çështje e ezauruar dhe se ka një dosje të veçuar, e cila është sirtar dhe nuk është trajtuar.

Por Bledi Çuçi, tha se nuk e mbështesin kërkesën e opozitës për mocion me debat sepse çështjet për të cilat është kërkuar janë ezauruar nga gjyqësori apo edhe në komisione hetimore parlamentare.

“S’kemi si te vendosim sot një datë për mocionin, kur mendojmë se ky mocion s’duhet zhvilluar fare pasi janë cështje të stër-ezauruara. Nga mënyra si eshte parashtruar kerkesa s’ka vend fare per mocion. Kerkesa e opozites lidhet me ceshtje qe jane gjykuar nga drejtesia madje edhe me vendime të formës se prerë, qe jane ezauruar edhe ne debatet parlamentare dhe komisionet hetimore parlameneare. Nuk mund te ulemi sot te flasim per daten e një mocioni”, deklaroi Çuçi.

Ndërkohë gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, Bardhi ka thënë se raportet ndërkombëtare flasin për nje problem te shtuar te trafikut të droges, ndaj duhet që të zhvillohet mocioni me debat në Kuvend për çështjen ‘Xibraka’.