E PLOTË/ Pastrimi i parave, takimet me trafikantët në zyrë dhe kriptovalutat, dëshmitë e Ahmetajt që “fundosin” Edi Ramën

 Pjesa e dytë e reportazhit për Shqipërinë e emisionit “Report” në RAI 3, ka nxjerrë në pah të tjera skandale të lidhjes së krimit të organizuar pushtetin, të treguara nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj.

Në një drekë familjare me miqtë, pa e ditur se po filmohej, Ahmetaj ka treguar lidhjet e kryeministrit Rama me persona të lidhur me trafikun e drogës dhe krimin e organizuar. Sipas tij, këta persona të krimit priteshin në zyrë nga Rama, ndërsa ndërmjetësi mes tyre është Ergys Agasi, një biznesmen në sektorin e duhanit dhe djali i një ish-deputeti të fuqishëm socialist.

“Pastrojnë paratë e drogës, nga vijnë gjithë këto para. Edi Rama nuk është vetëm i lidhur por i përdor për zgjedhje. I takon në zyrën e tij, unë nuk kam pranuar kurrë të marr pjesë. Personazhe nga Dibra, Durrësi, Elbasani. Po janë kapot e mafias”, dëgjohet të thotë Ahmetaj në videon e publikuar nga RAI 3.

Emisioni “Report” zbulon edhe takimin e Ramës pak kohë më parë në Kryeministri me Luftar Hysën, i konsideruar nga autoritetet kanadeze si një nga  anëtarët kryesorë të kartelit Sinaloa. Dy muaj pas bisedës me kryeministrin shqiptar, biznesmeni mori licencën për të hapur një kazino në një hotel luksoz në Vlorë.

Pastrimi i parave në Shqipëri bëhet me anë të ndërtimeve, teksa në vendin tonë kullat po “mbijnë” nga dita në ditë, pavarësisht se numri i apartamenteve të pashitura është shumë i lartë, ndërkohë që shqiptarët largohen nga vendi për shkak të varfërisë dhe papunësisë.

Në intervistën për “Report”, u vënë përpara faktit se vetëm vitin e kaluar në sektorin e pasurive të paluajtshme, ka pasur një investim me vlerë rreth 3,7 miliardë euro, kryeministri tha se ky është vetëm fillimi i ndërtimit të kullave, pasi pas 5 vitesh ato do të jenë në numër disa herë më të lart.

Emisioni zbulon se marrëdhënia e Ramës me ish-kryeministrin italian Massimo D’Alema nuk është vetëm politike, por edhe në biznes. Arben Ahmetaj ka hedhur akuza se kriptomonedhat janë një tjetër mënyrë e pastrimit të parave në Shqipëri, dhe pikërisht këtu hyn në skenë D’Alema.

Ahmetaj: Thënë mes meje e tej nuk dua të flas për D’Alemën sepse për mua ai është i madh. Biznesi i tij janë kriptovalutat.

Gazetari: Kriptovalutat?

Ahmetaj: Bën lobistin për kompani kriptovalutash.

Massimo D’Alema ka një kompani lobimi në Shqipëri, që quhet A&I, me objekt konsulencën institucionale të bizneseve që duan të ndërkombëtarizohen. Ish-kryeministri italian u pyet edhe nga gazetari Giorgio Mottola, por preferoi t’i shmangej pyetjeve.

Janë disa skandale të zbuluara nga ish-kryeministri Arben Ahmetaj, të cilat kanë kohë që qarkullojnë, por pohimi nga ish-numri dy i qeverisë tregon se sa të vërteta janë. Tashmë është detyra e SPAK të hetojë në lidhje me deklaratat e Ahmetajt, për të zbuluar lidhjet e krimit dhe trafikantëve me pushtetin dhe për të vënë para përgjegjësisë këdo që shfrytëzon pushtetin për përfitime personale.