Elva Margariti ka reaguar për herë të parë pasi u shkarkua nga drejtimi i Ministrisë së Kulturës.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Margariti shkruan se përmbyll sot misionin e saj 5-vjeçar, ndërsa e cilëson rrugëtim të jashtëzakonshëm.
Ndërkohë ajo ka uruar edhe Blendi Gonxhen, që i “zuri” vendin duke drejtuar ministrinë e re, ku përfshihet dhe Kultura.
Blendi Gonxhe me një vendim të kryeministrit Edi Rama u emërua Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Reagimi i Margaritit:
Sot përmbyll misionin tim 5-vjeçar në krye të Ministrisë Kulturës.
Një rrugëtim i jashtëzakonshëm që më rriti si njeri dhe si profesioniste.
I jam falenderuese kryeministrit Rama për besimin, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të shumtë, stafit të Ministrisë së Kulturës dhe kujtdo që na mbështeti në punën tonë, që e kemi bërë me shumë dashuri!
Sot jam e nderuar që i kam shërbyer kulturës këto 5 vite; krenare për gjithë sa bëmë e do të vijohet nga pasardhësi; krenare për imazhin dhe jehonën e bukur që ka sot kultura shqiptare, si kurrë më parë!
Suksese Ministrit Blendi Gonxhja në sfidën e re në krye të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit!