E FORTË/ Berisha sulmon SPAK dhe diplomatin anglez: Po tregon kontrollin e plotë politik! Qeveria britanike të shohë pozicionin e ambasadorit në lidhje me krimin

Akuza të forta ka hedhur ish-kryeministri Sali Berisha për Prokurorinë e Posaçme dhe ambasadorin britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith.

Sipas Berishës, SPAK po tregon që ëhstë nën kontroll të plotë politik, pasi janë mbi 850 mijë faqe të transkriptuara nga vendet fqinje që tregojnë sesi krimi është kthyer në votë, por Prokuroria e Posaçme po tenton të amnistojë politikanët më të lartë si Ilir Beqajn, Erion veliaj dhe Edi Ramën.

“Nuk ka në një shoqëri njerëz më të interesuar se opozita për luftën kundër krimit. Asgjë të re nuk ka te këto transkriptime që kanë ardhur, në 850 mijë faqe. Por ka një gjë të lemerishme, janë të gjitha transkripte të kthimit të krimit në votë dhe të kthimit të votës në krim. Janë me qindra e mijëra biseda që dëshmojnë se si krimi kthehet në votë dhe vota kthehet në krim. Në qoftë se merr presion protestën e opozitës për amnistitë e SPAK-ut, kjo është botërore, ndodh në të gjithë botën. Këtu ndodh shumë pak. SPAK-u ka dëshmuar tani kontrollin e plotë politik të tij. A janë Beqja, stërbeqja në aferën e sterilizimit, a nuk përbën ky grup organizatë kriminale? Ky term hiqet dhe Beqja amnistohet.

Cila opozitë në botë nuk do protestonte? Dërgohen të gjithë, por nuk dërgohet ai që ka firmosur. Ka vendosur pikëzimin, ka emëruar kushëririn e parë në krye të koncesionit, ka falur aparaturën, ka falur komplekse, ujin, energjinë. Jo presion, por ata duhet të përballen me presionin më të fuqishëm popullor”, tha Berisha.

Ai i ka bërë thirrje qeverisë britanike të shohë transkriptet për të kuptuar se cili është qëndrimi I ambasadorit britanik në lidhje me krimin, pasi ka dalë në deklaratë në mbështetje të krimit të organizuar.

“Meqë unë jam tek ata telefona, i bëj thirrje qeverisë britanike t’i marrë t’i shohë për t’i kuptuar se cili është pozicioni i ambasadorit të vet në Tiranë me deklaratën që ka bërë për mbështetje ndaj krimit të organizuar. Pra, opozita po bën detyrën. Opozita bën vlerësimin më të madh për çdo prokuror, hetues, oficer të BKH-së, por nuk mund të pajtohet kurrë dhe i konsideron armiq të ligjit, kriminelë, xhevahirët që shesin dosje, lirojnë vrasësit, amnistojnë Erion Veliajn, Ilir Beqjan”, u shpreh ish-kryeministri.