Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka kthyer përgjigje deklaratave të ish-emisarit amerikan për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.
Ai theksoi se bashkëpunimi i Kosovës është i shkëlqyer me Shtetet e Bashkuara ndërsa përmendin forcimin e FSK-së përmes blerjes së armatimeve amerikane.
“Kurrë më mirë nuk i kemi patur punët, po blejmë edhe helikopterë ‘Black Hawk’, pas sistemit anti-tank Javelin. Grantin më të madh Kosova ndonjëherë prej Amerikës e ka marrë në mandatin tonë kjo e korporatës së sfidave të mijëvjeçarit për bateritë. Kemi bashkëpunim jo vetëm politik, por edhe në mbrojtje e zhvillim. A ka ndonjëherë kritika e vërejtje, por ne duhet të ecim përpara”, tha Kurti për një media lokale në Kosovë.
Richard Grenell theksoi se gjatë mandatit të parë të Trump dhe administratës së Biden, Albin Kurti, kryeministri i Kosovës nuk ka treguar besueshmëri.
Ai theksoi se Kurti ka ndërmarrë hapa të njëanshëm, të cilët rrezikojnë destabilizimin e rajonit. Sipas tij, i ghithë komuniteti ndërkombëtar është kundër Kurtit.
“Kam shumë miq në Kosovë dhe në Shqipëri dhe shumë miq në Serbi dhe përreth rajonit. Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për paqen në Ballkan. Por na duhen partnerë të besueshëm. Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump e as gjatë administratës Biden. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar Kurtin vazhdimisht për ndërmarrjen e hapave të njëanshëm që po destabilizojnë rajonin. Kështu edhe BE edhe NATO. Komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar kundër Kurtit”, shkruante Grenell në “X”.