Dyshohet se i mori 8000 euro klientit, Gjykata e Posaçme izolon në shtëpi avokatin Besart Logu

Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj avokatit të njohur, Besart Logu.

Vendimi është dhënë pas dyshimeve për përfshirjen e tij në një rast të ndikimit të paligjshëm ndaj institucioneve të drejtësisë.

Logu dyshohet se ka marrë shumën prej 8 mijë eurosh me qëllim që të ndikonte në vendimmarrjen e Prokurorisë dhe Gjykatës së Tiranës për lehtësimin e masës së sigurisë ndaj një të pandehuri të akuzuar për mashtrim me TVSH.

Në kuadër të hetimeve, oficerë të strukturave të posaçme janë duke kryer kontrolle në disa ambiente, përfshirë edhe zyrën e avokatit Logu në Tiranë.

Hetimet janë ende në zhvillim dhe nuk përjashtohet mundësia e shtrirjes së tyre ndaj personave të tjerë të përfshirë.