Dy autorët që vranë 19 vjeçarin në Fier ishin kushërinj mes tyre, dyshohet se konflikti nisi në rrjetet sociale

Detaje të tjera janë bërë publike nga ngjarja e rëndë që ndodhi ditën e djeshme në qendër të Fierit, ku një 19-vjeçar humbi jetën pas një sherri me dy adoleshentë të tjerë.

Grei Bihuci, u godit me thikë ndërsa policia njofton se autorët e krimit të rëndë janë dy kushërinjtë, Florjan Muka dhe Klajdi Muka (djem xhaxhallarësh). Policia ka gjetur në vendngjarje thikën si dhe një përforcues grushti.

19-vjeçari humbi jetën rrugës për në spital, pasi nuk arriti që t’i mbijetojë plagëve të marra ndërsa dy kushërinjtë qëlluan edhe  shokun e viktimës, 20-vjeçarin Olti Serjanaj, që hyri për të shuar konfliktin.

18-vjeçari Florjan Muka u arrestua në vendngjarje ditën e djeshme (11 mars) pas krimit të rëndë, ndërsa kushëriri i tij, Klajdi Muka, 17-vjeç u arrestua ditën e sotme.

Konflikti dyshohet se kishte nisur në rrjetet sociale . 19-vjeçari, Grei Bihuci ishte nxënës i shkollës së mesme profesionale “Petro Sota” dhe studionte për informatikë. Ndërsa pasditeve, punonte kamerier në një bar-pastiçeri në bulevardin “Jakov Xoxa”, pranë vendit ku ndodhi krimi. Gjatë ditës së djeshme ai ka qenë në shkollë dhe ka bërë vetëm dy orë, duke lënë orët e tjera të mësimit.

Vetëm një orë më pas u shënua krimi tronditës që kthen edhe njëherë në vëmendje dhunën mes adoleshentëve.19-vjeçari që ka ndërruar jetë, pasdite punonte kamerier në një prej lokaleve në afërsi të qendrës së qytetit dhe njihej si djalë i mirë dhe i sjellshëm.

Sipas dëshmitarëve, konflikti mund të ketë nisur poshtë urës Gjanica në bulevardin “Jakov Xoxa” dhe në përpjekje për të shpëtuar 19-vjeçari ka ecur disa metra i plagosur derisa ka përfunduar i shtrirë në mes të rrugës