Durrës, babai ndërron jetë në aksident, gjyshërit rrëmbejnë 3 vjeçarin dhe nuk ia kthejnë nënës

Një grua në Durrës ka denoncuar ish vjehërrit e saj pasi I kanë rrëmbyer djalin, pra nipin e tyre.

3 vjeçari ishte marrë nga gjyshërit për të qëndruar disa orë por ata nuk ia kanë kthyer më nënës.

Policia ka arrestuar 58 vjeçarin Rexhep Gjuni, i cili nuk pranon të tregojë ku është i mituri.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur para katër ditësh.

Babai i fëmijës ka ndërruar jetë një vit më parë pas një aksidenti automobilistik dhe fëmija jetonte me nënën.

Nga policia thuhet se prej katër ditësh po punojnë për gjetjen e të miturit, për të cilin ende nuk kanë asnjë informacion.

Nëna e fëmijës thotë se është e shqetësuar për të voglin e saj.

“Jam e shqetësuar. Nuk e di ku ndodhet fëmija im. Nuk e di nëse është mire. Kërkoj nga policia të bëjë të mundur gjetjen e tij. Nuk e di pse ndodhi kjo pasi nuk e kam penguar kurrë fëmijën të shkonte te gjyshërit e tij”, ka deklaruar nëna e djalit 3-vjecar.