Dy muaj nga vrasja e Martin Canit, prindërit e 14 vjeçarit dhe qytetarë në protestë: Duam vetëm drejtësi

2 muaj nga vrasja e 14 vjeçarit Martin Cani nga shoku i tij, Mario Përlleshi, qytetarët kanë protestuar këtë të shtunë në shkollën “Fan Noli”.

Të pranishëm në këtë protestë ishin edhe prindërit e 14 vjeçarit, të cilët kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes që tronditi të gjithë opinionin publik.

“Vetëm drejtësi kërkojmë”, u shpreh e ëma e Martinit, e cila ka thënë edhe njëherë se nuk ishte informuar për sherrin që djali i saj kishte pasur me autorin, disa ditë para ngjarjes së rëndë.

Ndërkohë babai i tij tha se ende nuk ka asnjë reagim nga institucionet lidhur me hetimet që po bëhen.

“Kemi dy muaj që përjetojmë këtë dramë të madhe e nuk kemi asnjë reagim nga institucionet. Iu bëj thirrje të gjithë prindërve që të bashkohemi, pasi fëmijët janë mbi gjithçka. Nuk flemë gjumë, po përjetoj një ngjarje tragjike, kemi një traumë tepër të madhe. Na ka kapur frika, iu bëj thirrjeve institucioneve që të na dëgjojnë. Prokurorja më tha se do të kemi një përgjigje e ka vetëm heshtje. Heshtja vret”- u shpreh babai i të miturit.

Kujtojmë se disa protesta janë organizuar që prej vrasjes që ndodhi afër shkollës 9 vjeçare në Tiranë ndërsa kërkohet transparencë, kjo edhe pas deklaratave të shokut të Martinit, që mbeti i plagosur, i cili ka thënë se sherrin mes adoleshentëve ishin dy autorë. Ndërkohë policia ka thënë se është vetëm një, Mario Përlleshi.