“Drejtësia po funksionon”, refreni i socialistëve për të justifikuar kriminalizimin e partisë

12 vitet në ushtet të Partisë Socialiste janë shoqëruar me skandale të shumta dhe arrestimin e dhjetëra zyrtarëve të lartë, mes të cilëve edhe ministra apo zv.ministra, ndërkohë që në kërkim ndërkombëtar është edhe ish numri dy i qeverisë, Arben Ahmetaj.

Pas çdo arrestimi, kryeministri Rama shfajësonte veten duke thënë se “përgjegjësia është individuale”, pavarësisht se koncesionet korruptive ishin firmosur edhe prej tij, siç është rasti i aferës së inceneratorëve.

Por, teksa numri i zyrtarëve socialistë të vënë para drejtësisë rritet, në PS ka nisur të përsëritet një tjetër frazë, për të justifikuar kriminalizimin e partisë.

“Arrestimi i zyrtarëve tregon që drejtësia po funksionon”. Ky është refreni i përdorur shpesh kohët e fundit nga socialistët në çdo dalje televizive, teksa këtë frazë e përforcon edhe më shumë kryeministri, që vijon të këmbëngulë se Reformën në Drejtësi e bëri ai vetë me Partinë Socialiste.

Arrestimi i Jurgis Çyrbjas tregoi më së miri lidhjen e ngushtë të PS-së me krimin e organizuar, por kjo drejtësi që po funksionon, nuk ka dhënë asnjë informacion nëse po heton edhe kryeministrin Rama, që Çyrbjan e futi të tretin në listë pas “urdhrit: të marrë nga bandat kriminale.

I fundit që ra në rrjetë e drejtësisë është kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, i akuzuar për  korrupsion zgjedhor dhe i dënuar me 1 vit burg. Por dënimi i tij nuk kthen pas zgjedhjet e vitit 2023, ku mund të kishte rezultat tjetër nëse zgjedhjet do t ishin të ndershme.

Si Memolla mund të ketë shumë kryebashkiakë të tjerë që kanë përfituar nga pushteti dhe kanë blerë vota, por të gjitha janë në dorën e SPAK për t’i zbuluar.

Ndërkohë, për sa i përket çështjes së Memollës, foli Sekretari Zgjedhor në PS, Damian Gjiknuri, që nuk tha më tepër se sa pritej.

“Fakti që Edison Memolla është dënuar, tregon se drejtësia po funksionon. Por, është një dënim i shkallës së parë dhe do apelohet. Nuk mund të flasim përpara se të flasë drejtësia”, u shpreh Gjiknuri pak ditë më parë.

Një refren që vijon të përsëritet, por që nuk mund të gënjejë më shqiptarët, që kanë kuptuar se kriminalizimi i Partisë Socialiste ka arritur majat.

“Peshku qelbet nga koka”, thotë shprehja, por SPAK duket i pafuqishëm për të arritur te koka (jo Lefteri), ndaj është detyra e qytetarëve që të marrin në dorë situatën, dhe nuk kanë mundësi më të mirë se 11 Maji.